Mustafa: LDK garon të dalë e para dhe të qeverisë me vendin

- in Lajme

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia që ai drejton në zgjedhjet e 14 shkurtit garon për të dalë e para dhe për të qeverisë me vendin.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka kritikuar analistët dhe disa portale të cilat sipas tij po bëjnë “luftë” speciale kundër LDK-së.

Mustafa ka thënë se në opozitë duhet të mbesin ata që s’dinë të qeverisin por të vetmen gjë që e dinë është të bëjnë zhurmë.

Ky është statusi i tij i plotë:

LDK garon të dal e para, garon të qeverisë me vendin.

Ua kemi borxh qytetarëve dhe bizneseve implementimin e programit ekonomik dhe të punësimit; përmbylljen e dialogut me njohje reciproke; vazhdimin e fuqishëm të luftës kundër pandemisë; heqjen e vizave.

Dorëzimi para pseudoanalistëve, “profesorëve” nga Kosova e “Amerika” që askush nuk i njeh si të tillë përveç disa portaleve, nuk është veçori e LDK-së.

Një armatë e tërë kundërshtarësh nga soje të ndryshme e kanaqe politike është angazhuar t’ua lajë trurin njerëzve të ndershëm në LDK-së dhe jashtë saj.

Qytetarë na japin votën e tyre që të qeverisim, jo të qëndrojmë në opozitë.

Në opozitë duhet të mbesin ata që s’dinë të qeverisin por të vetmen gjë që e dijnë është të bëjnë zhurmë. IM/KosovaPress