Votimi në KiE | Gjermania nga Kurti do hapa konkret për Asociacionin, votimi edhe mund të shtyhet deri në fund të vitit

- in Lajme

Qeveria gjermane me shumë gjasë do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se ta japë “po”-në e saj që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës. Kështu raporton mediumi i njohur, “Euroactiv”. Madje, përmendet edhe një shtyrje e mundshme.

Mediumi, në një artikull të publikuar të mërkurën, i përmend zërat që Gjermania dhe Franca mund ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës, në rast se nuk ndërmerren hapa për formimin e Asociacionit.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, thuhet që ky shtet është në favor të anëtarësimit të Kosovës dhe se bisedimet për këtë çështje po vazhdojnë.

Megjithatë, një zëdhënës citohet të ketë shtuar: “…është e rëndësishme për hapat e radhës që Kosova të dërgojë një sinjal të qartë sa i përket mbrojtjes së minoriteteve, gjë që është kyçe për anëtarësimin në KiE”.

“Çështja e Asociacionit të komunitetit serb luan një rol qëndror këtu. Formimi i Asociacionit të komunave vazhdon të jetë një qëllim për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Në fund të artikullit, një “burim me njohuri për këtë çështje” thuhet se i ka thënë mediumin “Euroactiv” që vota për Kosovën mund të shtyhet deri në fund të këtij viti, nëse nuk sigurohet që do të marrë vota mjaftueshëm aktualisht për t’iu bashkuar organizatës./Demokracia