“Vetëmenaxhimi për serbët” | Kurti mburret me neni 7, Konjufca tronditi: Është pikë e vendosur në favor të Serbisë

- in Lajme

“Pika që është vendosur në favor të Serbisë është pika e shtatë e marrëveshjes… Dhe aty thuhet Kosova e ka për obligim gjetjen e një forme të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kjo është deklarata tronditëse e kryeparlamentarit të Kosovës dhe njëherit numrit dy në Vetëvendosje, Glauk Konjufcës, e bërë në fillim të dhjetorit të vitit 2023, gjatë një interviste televizive, shkruan Demokracia.com.

Me anë të kësaj deklarate, Konjufca nxori në pah se neni 7 i Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], që nuk ekzistonte në asnjë marrëveshje të mëhershme në dialogun Kosovë – Serbi, është nen tërësisht që ka për qëllim favorizimin e synimeve të Serbisë.

Përmes kësaj deklarate, kryeparlamentari Konjufca kishte zbuluar për herë të parë se kryeministri Kurti ka pranuar në këtë marrëveshje edhe pikë të veçantë, e cila është në favor të Serbisë.

3 NËNTOR 2023 – KURTI: NENI 7 ËSHTË REZULTAT I DIALOGUT NË KËTO DY VITE, 2022/23

Vetë kryeministri Albin Kurti është mburrur dhe e kishte zbuluar se Neni 7, i cili shikohet me mjaft frikë në Kosovë si një derë që çon në autonominë e serbëve është rezultat i dialogimit të tij.

Pikërisht autorësinë e këtij neni e ka marrë Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”, zbulonte Kurti nga foltorja e Kuvendit.

19 PRILL 2024 – KURTI: SERBIA NUK E DËSHIRON MARRËVESHJEN ME NENIN 7

Pavarësisht se ky nen shkakton frikë në Kosovë, kryeministri Kurti ka vazhduar të mburret me rezultatin e dialogut të tij.

Në një shkrim të tij të publikuar në Facebook, Kurti ka këmbëngulur në suksesin e tij të arritur përmes nenit 7.

“Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’. Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Demokracia.com/