Veç aktakuzës Sami Kurteshit i del edhe një padi, Valdete Daka ia kërkon 100 mijë euro për shpifje

- in Uncategorized

Pak ditë më parë në media u publikua aktakuza ndaj anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, për sulm ndaj një punëtori në hapësirat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por, përveç aktakuzës, Kurteshi përballjen me drejtësinë do ta vazhdojë edhe në një rast tjetër. Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ndaj Kurteshit ka ngritur padi për shpifje. Gazeta Nacionale ka siguruar padinë dhe sjell detaje.

Disa deklarata në media dhe pas mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2021, i kanë kushtuar me padi anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshit. Ish-kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka, në marsin e vitit 2021 ka ngritur një padi ndaj Kurteshit, e cila deri më tash nuk ishte bërë publike.

Gazeta Nacionale ka siguruar padinë e Dakës e cila si dëmshpërblim po kërkon 100 mijë euro. Janë katër deklarata të Kurteshit për të cilat ish-kryetarja e KQZ-së i ka prezantuar si shpifje dhe fyerje në drejtim të saj nga Sami Kurteshi.

“Me datë 02.02.2021, Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së, në një emision televiziv në Kanal 10 ka shpifur dhe fyer rëndë paditësen duke thënë se: ‘a e dini ju që zonja Daka nuk kalon asnjë segement të KQZ-së pa e monopolizu. Në çdo aspekt, qoftë financiar, qoftë të burimeve njerëzore, qoftë të proceseve’”, thuhet në pikën e parë të padisë nga Valdete Daka.

Një deklaratë tjetër për të cilën Daka ka kërkuar kompensim dhe e ka vlerësuar si shpifje dhe fyerje, është e 11 shkurtit të vitit 2021, pas një mbledhje që e kishte mbajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Valdete Daka është kreu i krimit brenda KQZ-së, që 11-12 vjet është në këtë institucion. Valdete Daka është nisëmtare e të ashtuquajturës vjedhje industriale e votave”, thuhet në pikën e dytë të padisë.

Një deklaratë të ngjashme Sami Kurteshi e kishte dhënë edhe më 22 shkurt të vitit të kaluar.

Kjo kryesuese që i thotë vetit kryetare nuk është kryetare, sepse kjo është injorante dhe nuk din me dallu çka është kryesuese dhe çka është kryetare… nuk din”, kishte thënë Kurteshi në këtë deklaratë, për të cilën tash do të ballafaqohet me ligjin.

Përballjen në gjykatë me Valdete Dakën, Kurteshi do ta vazhdojë edhe për një deklaratë të dhënë më 2 mars të vitit 2021.

Brenda KQZ-së janë marrë vendime që janë të kundërligjshme. Prej kryetarit e anëtarët e KQZ-së, e udhëheqësit e sekretariatit të KQZ-së… Daka s’mund të pajtohet me këtë ndryshim sepse deri tash ka shkuar si ka shkuar. KQZ-ja ka qenë e shndërruar, jo me fajin e saj, në makinë votimi. Ka pasë mbështetje nga partitë PDK, LDK, AAK dhe Nisma.”

Si rezultat, Valdete Daka në padinë e saj ka shkruar se këto deklarata janë marrë nga të gjitha mediat e tjera, duke ia dëmtuar imazhin.

“Deklarimet e tilla përveç që nuk janë të vërteta dhe të bazuara, janë fyese, nënçmuese dhe dëmtojnë rëndë reputacionin dhe imazhin e paditëses si kryesuese e KQZ-së dhe gjyqtare e Gjykatës Supreme. Për më tepër, kjo ka ndikuar në denigrimin e imazhit të paditëses, dhe ia ka ulur reputacionin dhe besueshmërinë e vet institucionit të KQZ-së”, thuhet në padinë që e ka siguruar gazeta Nacionale.

“Pretendimet e të paditurit përmes këtyre konferencave i përmbushin të gjitha elemtntet e veprës së shpifjes dhe fyerjes, për këtë arsye paditësja konsideron se për shkak të përjetimit të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit, dhe cenimit të dinjitetit në familje e në publik, lartësia e dëmit jomaterial do të duhet të komspentohet në të holla”, thuhet tutje.

Në mesin e kërkesave që ka bërë, përveç kompensimit, ish-kryetarja e KQZ-së kërkon që Sami Kurteshi të tërheqë fyerjen dhe shpifjen e tij, si dhe të kërkojë falje në media dhe rrjete sociale, 8 ditë pas marrjes së vendimit nga gjykata.

Gjithë këto deklarata të Sami Kurteshit kishin ardhur pas përplasjeve të vazhdueshme nëpër mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo ndërlidhej më së shumti me vendimin e KQZ-së që të mos i lejojë të kandidojnë në zgjedhje personat që janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Kjo bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetutese, në rastin ndaj Ethem Arifit.

Vetëm pak ditë më parë, u konfirmua se ndaj Sami Kurteshit është ngritur edhe një aktakuzë për sulm ndaj një personi brenda KQZ-së, me arsyetimin se nuk e kishte maskën. Detaje të tjera nga kjo aktakuzë, gazeta Nacionale do të sjellë së shpejti./Nacionale