Rama: Hashim Thaçi shqiponjë që po mbahet në burg, urrejtja për të nga disa në Prishtinë po e djeg jorganin e sigurisë së Kosovës

- in Lajme, Shqipëri

Kështu deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama në seancën e Kuvendit të Shqipërisë:

“Dëgjoj disa që janë më të mençur se unë, që thonë s’ka problem ne mund të rrimë edhe 100 vjet pa bërë paqe me Serbinë. Që i bie edhe 100 vjet pa e forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Seriozisht? Seriozisht?

Por, se duhet t’i përgjigjem pyetjes si ka mundësi? Arsyeja e braktisjes uluritëse të atyre atje në Hagë, nga të gjithë ata që i kanë braktisur, fakt, si të gjitha arsyet e zvarritjeve të shqiptarëve në historinë e tyre është një tjetër, sa banale aq edhe koherente, megjithë thelbin e qorrbelasë politike që e përndjek shqiptarinë dhe shtetin shqiptar që nga viti 1912, e dini si e ka emrin, urrejtja, urrejtja për Hashim Thaçin.

Si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte edhe paqen.

Po atë shprehjen të djegësh jorganin për një plesht.

Keni parasysh?

Nuk ka kafshë më të keqe se njeriu kur humb arsyen.

Hashim Thaçi është një shqiponjë që rri në kafazin e Hagës, i pengon jo pak koka politike se si duhet ta fitojnë kokën diplomatike me Serbinë që u mund me armë me zgjuarsi që ngritën botën në këmbë me ato pushkët e tyre.

Shumëkush andej dhe disa këndej, janë gati të djegin jorganin e sigurisë së Kosovës bashkë me jorganin e sigurisë së Shqipërisë, dhe duke djegur procesin e formësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kalon përmes shtegut të dialogut të normalizimit të paqes me Serbinë, krah për krah me aleatët tonë SHBA dhe BE dhe me askë tjetër”, tha ai, percjell Periskopi.

Rama ka treguar se si Shqipëria ka kërkuar një deklaratë të dytë të Bashkimit Evropian pas ngjarjes së Bansjkës meqë Tirana zyrtare s’mund të qëndronte në një linjë me deklaratën e mëparshme të BE-së që i drejtohej vetëm Kosovës.

Rama ka thënë se nuk është gjë e vogël që një shtet kandidat për anëtarësim të mos linjëzohet me politikën e jashtme të BE-së por ka shtuar se s’është as ndonjë heroizëm.

Kryeministri shqiptar ka thënë se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA_së dhe viktizimi diplomatik i Serbisë falë “dhuratave politike” të marra nga gabime te Kosovës po ia vështirësojnë Shqipërisë punën.

Ai tutje ka treguar se bashkë me presidenten Osmani gjatë Samititet të Komunitetit Politik Evropian kanë kërkuar tek liderët e pranishëm për një qëndrim adekuat të BE-së për sulmin e ndodhur në Banjskë.

Rama ka potencuar se Serbia mban përgjegjësi të madhe për sulmin, meqë jo vetëm që nuk e dënoi agresionin por e mbuloi atë edhe me flamurin kombëtar të zisë.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”, ka thënë Rama./Demokracia