Pezullohet nga puna mjeku i QKUK-së që dyshohet se pranoi 300 euro ryshfet

- in Shëndetësi

Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm nga puna të ortopedit Sami Delijaj, i cili dyshohet për marrje ryshfeti.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra për Informim e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

“ShSKUK ju konfirmon se Komisioni Disiplinor i QKUK-së, bazuar në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda me nr: 2023:188627 datë 06.09.2023, ku Dr. S. D, i ka caktuar Masa e Arrestit Shtëpiak, po ashtu në kuptim të shkresës zyrtare me nr. 220 datë 07.09.2023, të Drejtorit të Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore të QKUK-së, vendosi që S.D. në vendin e punës ushtrues detyre Shef i Repartit të Ortopedisë së Përgjithshme në Klinikën e Ortopedisë dhe Truamtologjisë Lokomotore të QKUK-së, i shqiptohet masa PEZULLIM I PËRKOHSHËM NGA PUNA”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Tutje thuhet se Delijaj do të përfitojë 50 për qind të pagës së plotë gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm.

“Gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm nga puna i punësuari përfiton 50% të pagës së plotë, duke përjashtuar çdo lloj shtese në pagë për një periudhë pezullimi deri në gjashtë (6) muaj. Ky vendim hyn në fuqi nga data 08.09.2023”, thuhet më tej në përgjigjen e SHSKUK-së.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Delijaj, duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Në aktvendim thuhet se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e parashtruar për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Delijajt është e pabazuar.

Sipas Prokurorisë, Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut ortoped në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), më 1 shtator 2023, pasi e kishte operuar pacientin R.M në mënyrë të drejtpërdrejte ka kërkuar 450 euro para ryshfet nga Xh.P, ku pas negocimit të njëjtit ia merr 300 euro, raporton Betimi për Drejtësi.

/GazetaSinjali/