Përplasje e ashpër në Komisionin për Integrime, kërkohet dorëheqja e ministres Hajdari

- in Lajme

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me përmbushjen e obligimeve për proceset integruese të vendit.

Mbledhja e komisionit ka kaluar me tensione ndërmjet deputetëve të opozitës dhe ministres Hajdari.

Opozita kërkoi dorëheqjen e ministres Hajdari për shkak të skandalit me rezervat shtetërore, për të cilat ajo është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me përmbushjen e obligimeve për proceset integruese të vendit. Mbledhja e komisionit ka kaluar me tensione ndërmjet deputetëve të opozitës dhe ministres Hajdari. Opozita kërkoi dorëheqjen e ministres Hajdari për shkak të skandalit me rezervat shtetërore, për të cilat ajo është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale.

Ministrja Hajdari gjatë raportimit të saj para komisionit ka përmendur projektet e realizuara gjatë vitit 2023, teksa paralajmëroi reforma të thella për përmirësimin e zhvillimit të biznesit.

“Kemi përmbushur shumë obligime të cilat kanë rezultuar pozitivisht edhe në raportin e fundit Evropian. Për të plotësuar kornizën ligjore vetëm gjatë vitit 2023 janë miratuar shtatë ligje, 12 udhëzime administrative dhe tre rregullore. Që fillojnë me ligjin për sigurinë e produkteve, ligjin për parqet industriale, investimet të qëndrueshme, projektligjin për regjistrim të pronarëve përfitues që tani është në Kuvend, projektligjin për mbrojtje konsumatorit, kemi hartuar nga qeveria, projektligjin për inspektoratin e tregu , projektligjin për tregti të brendshme dhe projektligjin për inovacion dhe ndërmarrësi që ka kaluar fazat për diskutim publik. Synojmë të kemi një reformë të thellë për zonat ekonomike, sipas ligjit të ri për parqet industriale teknologjike duke u bazuar në tregues kyç të performancës. Sa i përket ndërmarrjeve të vogla, të mesme gjatë vitit 2023 kemi përkrahur ndërmarrje për blerjen e makinerive, biznese për certifikim të produkteve, janë gjithsej për dy tre vite 499 biznese që janë përkrahur”, tha Hajdari.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka pyetur ministren Hajdari për intervistimin e saj nga Prokuroria Speciale për rezervat shtetërore. Sipas Krasniqit, ministrja është akuzuar si e pandehur për vepër penale dhe nuk e ka pranuar se ka qenë në Prokurori për të deklaruar.

Krasniqi tha se ministrja Hajdari duhet të sqarojë çështjen e korrupsionit e pastaj të flasë për reformat evropiane.

“Sa herë ju referove në raport të progresit është thënë që mbetet shqetësuese korrupsioni dhe ajo po vazhdon të mbetet shqetësues, sepse po shohim se çka po ndodh. Ndërsa, ju para disa ditëve jeni ftuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me rezervat shtetërore dhe keni thënë që nuk jeni ftuar. Pastaj nga komunikata e Prokurorisë Speciale ka dalë që jeni marrë në pyetje si e pandehur për veprën penale, keqpërdorimi i pozitës. Është mirë të na tregojnë se kujt t’i besohet. Ti ke dalë e ke thënë që nuk keni qenë, ndërsa prokuroria del me komunikatë që ke qenë në prokurori. Fjalën e kam unë mandej vazhdoni secili, ne po flasim për raportin e progresit edhe ministren jam duke e pyetur jo ty, ministre urdhëro përgjigju. E ke rastin e krimit dhe korrupsionit që mbetet shqetësuese dhe po dua të dëgjoj nga ministrja, unë jam kryetarja dhe ministrja le të përgjigjet le t’i tregojë qytetarëve. Ma shumë “shou” që je duke bërë ti, nuk po bën askush”, tha Krasniqi.

Ministrja Hajdari pas pyetjeve të drejtuara nga deputetët e opozitës për çështjen e deklarimit të saj në Prokurorinë Speciale tha se nuk përgjigjet nga pyetjet të cilat janë pyetje të mediave dhe nuk kanë të bëjnë me komision.

“Sa i përket pyetjet që i drejtoheni te prokuroria për çështjen në fjalë, unë jam sot në raportim për proceset për integrime evropiane dhe për shkak që kemi disa ligje për mbrojtjen e disa informacioneve. Unë pres qartësime shtesë për të kuptuar se çka konkret si ministre e MINT pritet të de-klasifikohet dhe të raportohet sipas pyetjeve që ata mund të dërgojnë. Kjo është qëndrimi dhe unë shfrytëzoj të përgjigjem për integrimet evropiane. Ku e di ti se a kam dhënë ose jo, ku e di ti? Nuk kam nevojë të shkoj fshehur. Unë nuk punoj me psikologjinë tuaj të pasqyrës. Unë ty për çdo pyetje jam këtu, kur të intervistohem të tregoj. Kjo po i merr konkluzionet, unë po të tregoj që kjo po flet nga fjalët e mediave. Merreni procesverbalin se çka unë jam deklaruar”, shtoi Hajdari.

Kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi gjatë debatit me deputetin, Driton Hyseni tha se komunikatat e Prokurorisë Speciale tregojnë që Hajdari për të dytën herë ka probleme me ligjin. Krasniqi potencoi se ministrja Hajdari duhet të jep dorëheqje pasi ka të bëjë me krimin dhe korrupsionin.

“Unë i besoj Prokurorisë Speciale, kjo është ministre dhe mundemi me bashkëpunuar, një muaj kemi pritur të raportoj në komision, edhe unë iu referova në raport për vendin, qysh s’e ki raport për vendin krimin dhe korrupsionin. Ka të bëjë me krimin dhe korrupsion që përmendet në raport. Ndale fjalën, të jap fjalën deputetëve tjerë. Është obligim moral, me qenë në vend sa moti kisha jap dorëheqje, hera e dytë që ka problem më ligjin. Jo, të vish e të gënjesh këtu para qytetarëve. Me dashtë nuk të jap fjalën. A po vjen? Dil në vend timin. Asnjërit nuk iu tutna. Keni ministre që ka deklaruar Prokuroria Speciale, pse nuk keni ardhur në rezervat shtetërore se frikësoheni e dini çka ka”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu tha se ministrja Hajdari duhet të jep dorëheqje për shkaqe morale.

Ajo gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, ministres Hajdari i kërkoi llogari për korrupsionin e rezervave shtetërore, vajin, sheqerin dhe grurin.

“Ju përgëzoj që po qëndroni në detyrë për të cilën nuk do duhej të ishin sot këtu. Më e pakta që duhet të bënit të ofroni dorëheqje, po e them që të më përgjigjeni saktë, duhet të ndjeheni llogaridhënie, sepse po flisni për një Kosovë që ka akuza për vjedhje në rezervat shtetërore. A e dini për çka jeni duke folur? Po flisni për ambient të shëndosh të bërit biznes në një vend ku ju si ministre të aferave të shumta, rastin e shumëpërfolur në revistën franceze. Janë 600.000 euro vlera e mallit. Po flasim për vaj, sheqer, grurë, hiq mos fol për reformat e një shteti për biznes një shtet që ka korrupsion të hapur, nuk mundemi me i mbyllë sytë dhe me thënë mos na pyetni për keqpërdorime, pse ju nuk e ofroni dorëheqje, çka duhet ndodh më shumë, që mos me dhënë llogari për përgjegjësi institucionale. Nën qeverisjen e juaj zonja Hajdari, në gjitha mediat ka dalë lajmi që Kosova po portretizohet si vendi i trashëgimisë kulturore, asnjë llogari, asnjë përgjegjësi, as për rezervat shtetërore, gishtat. Dëgjomë, nuk më tregon se qysh komunikoj, në formën në të cilën unë komunikoj, zonja ministre me respektin më të madh si grua që përgjegjësinë para qytetarëve duheni ta jepni, sepse nuk shkon me vjedh më grurin, vajin dhe rezervat shtetërore”, tha Deliu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka ironizuar ministren Hajdari duke i komentuar asaj rastet gjyqësore të cilat i ka të hapura ajo në gjykatë.

Reçica tha se ministres për shkak të skandaleve të saj me rezervat shtetërore i ka “ndërruar” emri nga Rozetë në rezervë.

“Ministre a dëshiron me ik a? Sa kohë jemi duke të pritur për pyetje në seancë plenare, mbase sot paske ardhur rri pak. A i ke dy dënime gjyqësore, për mos deklarim të pasurisë dhe për aksident komunikacion, a ke akuzë për mos deklarim? Për të kaluarën pyete pronaren e këtyre që ka qenë në karrigen tënde, ajo tregon Mimoza Kusari Lila sepse besoj se është shefe e juaja. Ti do të shkosh në gjykata, jo unë. Unë i kam përfunduar për çështje tjera, jo për hajni. A je e vetëdijshme që të ka ndërruar emri prej Rozetës në rezervë? Për shkak të skandaleve që ke pasur me rezervat shtetërore, gati krejt opinioni ia ka ndërruar emrin. Ju nuk dëgjoni, i ke keni futur veshtë në “lesh”, normal e mbroni”, tha Reçica./Demokracia