Oda Ekonomike kërkon ndërhyrje urgjente të qeverisë për stabilizim ekonomik

- in Ekonomi, Lajme
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 90

Qytetarët në Kosovë vazhdojnë të ankojnë për çmime të papërballueshme në krahasim me pagat që marrin. Sipas qytetarëve ngritje të çmimeve vërehen nga dita në ditë. Përderisa njohës të fushës së ekonomisë kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve në mënyrë që inflacioni i lartë të zbutet ata thonë se duhet të shihet se çka po ndikon në rritje të çmimeve.

Kosova është në krizë të thellë ekonomike dhe nevojitet ndërhyrje urgjente nga ana e institucioneve, vlerësoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna. Ai në këtë kontekst vuri në dukje mungesën e investimeve kapitale, ecuritë në prodhimtari që lënë për të dëshiruar si dhe masat ndëshkuese të BE-së. Shqetësim, sipas tij, përbën edhe imazhi i vendit.

“Ankesat janë të shumta, ankesa më e madhe për momentin është gjetja e tregut më të madh, duhet të ndihmohen prodhuesit. Nëse shohim të dhënat nga doganat, por edhe nga ASK shohim se ka rënie të eksportit në këta tre muajt e fundit, dhe kjo është shqetësuese, për arsyeje se duhet parë sa i përket eliminimit të mundësisë që Kosova të paraqitet si një vend i tensionuar, si një vend i krizës, këtu duhet të kemi kujdes të gjithë, duhet të punojmë sa më shumë në përmirësimin apo tregimit të imazhit të Kosovës, që është një vend i qetë, demokratik, në vend që ndikon në stabilitet edhe të BE-së, ambient i të bërit biznes. Është edhe çështja e mos ndërmarrjes në politikat fiskale, është viti i gjashtë që nuk ka një freskim të politikave fiskale. Më pas reforma në sistemin arsimor, për ta lidhë arsimin me kërkesat e tregut, duhet shëndetësia e me radhë. Institucionet duhet të jenë më të shpejta, sepse nuk kemi kohë që të presim dhe të shohim prej një shikimi të lirë se çfarë po ndodh, duhen veprime konkrete dhe të shpejta”, tha Rafuna për rtv21.

Kosova tash e një kohë ballafaqohet me inflacion të lartë. Qytetarët ankohen për ngritje tej mase të çmimeve.

“Po more kjo nuk është normale mos të them 100% po t’paktën ka 50 % rritje pak mendoj që edhe tregtarët bëjnë dallavere sepse nuk mundet një product për një ditë me ra 50% zbritje, këto dy qese me pemë kushtun 10 euro”, tha një qytetar.

“Unë i kam marrë pagë 500 euro vitin e kalum ja kam dal deri diku me i përballu çmimet këtu po e përfshijë edhe faturat e rrymës e kto, këtë vit po e kam ma të vështirë, sidomos në ato produktet esenciale nuk mundesh me i ble pa 50 euro kjo nuk është normale, unë 500 euro pagë po çka bojnë ata që kanë ma të ulëta”, tha një qytetar tjetër.

“Po llogaritë unë jam pensioner çka muj me ja dalë tash e 8 vjet s’ka rritje të pensioneve”, tha një qytetar.

Në një vijë mendimi me qytetarët është edhe kryetari i Odës Ekonomike Lulzim Rafuna. Thekson nevojën për masa konkrete sa i përket rritjes së çmimeve.

“Duhet të merren masat e politikave fiskale, financiare, por edhe tek pjesa administrative në mënyrë që të ndihmohet që çmimet sidomos për produktet e konsumit të përditshëm të mos shtrenjtohen sepse ndikon drejtpërdrejt në gjepin e qytetarëve. Tani është lajm i mirë që inflacioni është në rënie, jo vetëm në Kosovë, por rajon dhe gjithë Evropën, lajmi mirë është që kemi dalë edhe prej sezonit të dimrit dhe nuk është më kërcënimi i mungesës së energjisë elektrike ose ngritja e çmimit të energjisë elektrike, normat e interesit kanë filluar që të bien në vendet e BE-së, tani edhe në Kosovë, ky është lajm i mirë edhe për bizneset. Kështu, duhet të shohim ku është ajo kostoja shtesë që po e kanë bizneset tona që po ndikon në ngritjen e çmimeve dhe të eliminojmë edhe atë pjesë nga ana e Qeverisë”, tha ai.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se në muajt mars dhe prill të këtij viti kishte ngritje të çmimeve të produkteve mesatarisht 2.3 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e madhe e çmimeve është e prodhimeve blegtorale 7.3 për qind dhe atyre bujqësore 5.3 për qind./Demokracia