Ish-zyrtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka rrëfyer një incident të tensionuar gjatë kohës kur ndodhej në paraburgim në Hagë.
Ai tha se të paraburgosurit shqiptarë janë provokuar vazhdimisht nga një gardian amerikan, John Devaney, i cili më pas u ngrit në detyrë brenda Qendrës së Paraburgimit në Scheveningen.
“Na me pas ditë që ai del prokurori, ai ish rreh si kali. Ishmi rreh edhe na me siguri mas andej, po ai ish rreh aty sikur kali,” – deklaroi Haradinaj, duke iu referuar përballjeve me Devaney. Sipas tij, situata mund të kishte përfunduar në përplasje fizike, por është shmangur në momentet e fundit falë ndërhyrjes dhe qetësisë së Hashim Thaçit.
“Ka pasë tendenca disa kanë provoku me shku na në konflikt fizik. Por na nuk i kem ik asaj. Sa jam kanë unë, s’ka derivu atje sa me pasë goditje. Roja e ka provoku Rexhep selimin tu ia ndërpre pikturimin, pasi drejtori i kishte dhënë leje. Dikur Rexha lëshoi pe, që mos me ardhë deri te konflikti”, ka thënë Haradinaj.
John Devaney fillimisht ishte një gardian i thjeshtë në qendër, por me kalimin e kohës u bë hetues, më pas Zëvendësshef dhe së fundmi Shef i Qendrës së Paraburgimit ku vazhdojnë të qëndrojnë prej gati pesë vitesh ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
/Demokracia