Muriqit i është kthyer besimi te Mallorca

- in Sport

Te skuadra e Mallorcas mund të shihen sinjale pozitive pas fitores së parë këtë edicion në La Liga. Pas fillimit të zbehtë dukej se Mallorca do të kishte vështirësi në kampionat. Dhe tani pikërisht rezultatet janë ato që duket se kanë ndryshuar gjërat për të mirë te kjo skuadër.

Pavarësisht fitores se parë, te Mallorca problemet ende janë evidente dhe nuk mund të anashkalohen. Të ardhurit ende duhet të përshtaten, mbrojtja të përmirësohet dhe mesfusha duhet të bëjë një hap përpara që ekipi të rritet. Pavarësisht mangësive të Mallorcas, zgjidhja kërkohet te tri pikët në secilën ndeshje.

Protagonisti i fitores së parë të Mallorcas pas dy barazimeve dhe dy humbjeve është sulmuesi Vedat Muriqi. Ai shënoi golin e vetëm në fitoren në udhëtim te Celta Vigo (1:0) vikendin e shkuar. Sulmuesi shijoi javën e tij më të mirë – të paktën në aspektin sportiv – pasi u rikthye te shënimi i golave, duke shënuar dy për Kosovën në barazimin ndaj Zvicrës (2:2) dhe një për Mallorcan. Pa dyshim që Mallorca kishte nevojë për këtë fitore, sidomos duke pasur parasysh orarin e vështirë të ekipit, që edhe duelin e radhës në La Liga e luan në udhëtim, te Girona. Me golin ndaj Celtas, Muriqit i është kthyer gëzimi, ndonëse ka punuar vazhdimisht. Pavarësisht se nuk ishte i suksesshëm para portës, puna e tij në fushë nuk ka qenë kurrë në dyshim te Mallorca. Gjithmonë në klub thonë se “kosovari është i pari që sulmon, por mbi të gjitha edhe i pari që mbrohet”. Për këtë arsye ai është i padiskutueshëm në përbërjen e parë të trajnerit Javier Aguirre, i cili në numrin 7 ka sulmuesin kryesor për të gjithë edicionin. Pasi meksikani luan me vetëm një sulmues, të tjerët si Cyle Larin, Abdon Parts dhe Amath Ndiaye, duhet të qëndrojnë në stol dhe të presin shansin e tyre. Figura e Muriqit nuk ka zëvendësim te Mallorca. Sulmuesi shënoi 15 gola edicionin e shkuar në të gjitha garat dhe përkundër që duket e pamundur që ta përsëritë një sukses të tillë, mbetet gjithçka e hapur deri në fund. Kushtet që i ka dhe i dëshiron nuk i mungojnë. Ai u ringjall dhe tregoi paraqitjen më të mirë këtë edicion te Mallorca ndaj Celta Vigos dhe pritet të vazhdojë me këtë formë.

Besimi për Muriqin nuk do të mungojë nga trajneri e as nga tifozët e Mallorcas. Goli i fitores ndaj Celtas ka bërë që dy penalltitë e humbura në dy ndeshjet e para të këtij edicioni tashmë të harrohen.

“Ndonjëherë ka shpagim dhe drejtësi. Nuk e di nëse ta quaj hyjnore apo çfarë, por është e vërtetë që ai ka vuajtur dhe është lënduar pak emocionalisht nga gjithçka që i ka ndodhur në ligë. Goli ndaj Celtas është oksigjen për rikuperimin e tij mendor apo emocional dhe për ta motivuar për të vazhduar me gola”, ka thënë Aguirre.

/Demokracia