Mediat austriake zbulojnë skandalin: Shefi i EULEX’it i dha donacione organizatës së Njomza Eminit për shkak të lidhjes personale

- in Lajme

Gazeta austriake ‘Der Standard’ në një artikull të publikuar më 14 gusht 2022, ka shkruar rreth disa dyshimeve se kreu i EULEX-it, Lars Gunar-Wigermark ka ndihmuar Komitetin Paralimpik në Kosovë, pjesërisht për shkak të raportit të tij privat me drejtuesen e këtij Komiteti, të cilës gazeta “Der Standard” i është referuar vetëm si “Zonja E”. Drejtuesja e këtij Komiteti është ish -deputetja e LDK’së, Njomza Emini.

“Mulliri i thashethemeve po vlon në kryeqytetin e Kosovës prej javësh. Dyshimi: Kreu i EULEX-it, suedezi Lars Gunnar Wigermark, i ka dhënë mbështetje Komitetit Paralimpik të Kosovës pjesërisht për shkak të raportit privat me kreun e Komitetit Paralimpik Znj. E. Në mënyrë specifike bëhet fjalë për donacione, por edhe për ngjarje”, thuhet në tekstin e gazetës prestigjioze austriake, transmeton Express.

Gazeta “Der Standard” tutje shkruan se misioni i EULEX-it nuk është përgjigjur në pyetjen e përsëritur nëse Wigermark ka raporte private me drejtuesen e Komitetit Paralimpik.

Tutje në tekst thuhet se në muajin dhjetor të vitit 2021, EULEX “ka dhuruar pajisje të IT dhe mobilje nga stoku tepricë për Komitetin Paralympik”,

“Më 16 dhe 17 korrik EULEX ka mbështetur një event të Komitetit Paralimpik në Vushtrri, por edhe OSBE-ja dhe NATO e kanë bërë të njëjtën gjë”, vazhdon teksti i “Der Standard”.

Përveç këtyre, “Der Standard” shkruan se EULEX-i do të dhurojë edhe pesë makina të përdorura për Komitetin paralimpik, të cilat janë përdorur nga federata të ndryshme të sportit për njerëzit me aftësi të kufizuara.

Gazeta austriake shkon tutje, duke thënë se nëse shikohet më në detaje, donacionet e EULEX-it për Komitetin Paralimpik janë të jashtëzakonshme.

“Sipas dokumenteve që disponon STANDARD, “E” në mënyrë specifike i ka kërkuar misionit të Eulex-it që të përgatisë broshura dhe bluza për pjesëmarrësit e eventit që t’i veshin më 16 dhe 17 korrik, dhe një ekip mjekësor nga Eulex-i ka vënë në dispozicion, i cili madje ka qëndruar në terren gjatë natës nga 16 deri më 17 korrik. Për më tepër, E. kërkoi nga Eulex-i që të pyeste një kompani kontraktuese të Eulex-it nëse ata mund ta shoqërojnë ngjarjen dhe të prodhojnë një video për qëllime promovuese për të gjithë ngjarjen”, thuhet në raportimin e Der Standard.

Në bisedë me Der Standard, EULEX ka thënë se s’kanë prodhuar video promocionale për ngjarjen në Vushtrri të ndodhur më 16 dhe 17 korrik dhe kanë thënë se kanë bërë vetëm fotografi dhe regjistrime me video.

Megjithatë, siç shkruan “Der Standard”, EULEX ka pranuar që ka prodhur broshura dhe maica për atletët me aftësi të kufizuara dhe pë rata që i kanë ndihmuar ata.

“Eulex-i pranon gjithashtu se “Njësia Mjekësore Eulex ofroi mbështetje mjekësore” gjatë ngjarjes, megjithëse “pa kosto shtesë për misionin përveç karburantit për ambulancën”, thuhet në tekstin e “Der Standard”.

Gazeta austriake tutje shkruan se është e paqartë se pse EULEX-i si mision ndërkombëtar nuk i dhuron makinat e veta për policinë e Kosovës, që e luftojnë dhe hetojnë krimin, e që mandate i tyre përshtatet shumë më shumë me EULEX-in sesa Komiteti Paralimpik.

“Është gjithashtu interesante që në faqen e “Facebook” të “Forumit për Lidership dhe Diplomaci”, që drejtohet nga Zonja E, ju mund të shihni njerëz teksa mbajnë shkrime për të falendëruar EULEX-in”, vazhdon raportimi i Der Standard.

Der Standard e kanë kontaktuar edhe drejtuesen e Komitetit Paralimpik dhe “ Forumit për Lidership dhe Diplomaci”. Ajo ka thënë se ngjarjen ne Vushtrri e kanë përkrahur organizata të shumta ndërkombëtare.

Derisa ka thënë se EULEX-I nuk e a ndihmuar asnjëherë me para “Forumin për Lidership dhe Demokraci”.

Megjithatë siç shkruan “Der Standard”, bazuar në burime, EULEX-i ka derdhur 2 mijë e 500 euro për rimbursim të shpenzimeve për “Forumin për Lidership dhe Demokraci” lidhur me një ngjarje ku është diskutuar për të drejtat pronësore dhe dhunën në familje.

“Zonja E thotë gjithashtu se ka raporte të mira dhe të ngushta punë me shumë diplomatë”, shkruan Der Standard, duke thënë se “Zonja E” ka treguar që është edhe qytetarja e parë e Kosovës që ka marrë Legjionin e Nderit nga Franca.

“Jam shumë krenare që kam marrëdhënie të ngushta pune me shumë diplomatë të respektuar dhe liderë ndërkombëtarë dhe i përdor këto kontakte për të luftuar për të drejtat e grave dhe personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, ka shkruar E. për STANDARD. Por ajo nuk i përgjigjet pyetjes në lidhje me marrëdhënien me Wigemark.

EULEX-i i ka thënë Der Standard se nuk kanë dhuruar ndonjë donacion për “Forumin për Lidership dhe Demokraci”.

“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2022, EULEX-i mbështeti një diskutim për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave me një grup grash nga komunitetet pakicë”, kanë thënë nga Der Standard nga EULEX-i./Express/