Malli për të qenë opozitë: Videospoti që bëri VV-ja e Prishtinës një ditë pasi takuan Albinin është fshirë

- in Uncategorized

Marrëdhënia e Vetëvendosjes me pushtetin nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë përkundër ardhjes në pushtet para më shumë se një viti. Kjo parti, duket se nuk po ia del të ambientohet në rolin e ri dhe po mallëngjehet shpesh me të bërit opozitë, çka po i shkakton telashe të shumta.

Partia e drejtuar nga Albin Kurti ka pushtet institucional të jashtëzakonshëm për rrethanat tona politike. Pas fitores me 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Vetëvendosje i mori të gjitha pozitat më të pushtetshme shtetërore, mundësi të cilën nuk e ka pasur asnjë parti politike më herët.

Sidoqoftë, nuk kanë munguar rastet kur nga pozita pushteti Vetëvendosje ka bërë kritikë për pushtetin. Qoftë për pushtetet e kaluara (qeveritë e mëhershme), qoftë për institucione tjera të pavarura (Prokuroria, i gjithë gjyqësori, ndërmarrjet tjera publike) me pushtet e qoftë për pushtetin e katërt (mediet).

Po ashtu, eksponentë të Vetëvendosjes me pushtet nuk kanë hezituar madje edhe të kritikonin vetë institucionet që drejtonin. Kjo është parë nga analistët – me cinizëm – edhe si “protestë ndaj vetvetes”.

Por, partia e themeluar në vitin 2005 ka qenë kritike edhe për rolin e partive opozitare.

Kryeministri Kurti në disa raste në seanca të Kuvendit të Kosovës kishte shprehur vullnetin e tij që ta ‘mësonte’ opozitën të bënte opozitë. Por, partitë opozitare – veçanërisht PDK e LDK – janë shprehur kritike për rolin dhe metodat e përdorura nga Lëvizja Vetëvendje, duke thënë që nuk donin t’i përsërisnin të njëjtat.

M B R Ë M Ë

Që pushteti të sulmojë opozitën për opozitëbërjen, është gjë e rrallë, por ja që na erdhi edhe më e pastër gjatë mbrëmjes së kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje, qendra e Prishtinës, dje e publikoi një video në të cilën sulmonte ashpër eksponentë të opozitës për çështjen e vaksinave për Covid-19.

“Dështuan të negociojnë për sigurimin e vaksinave. Nuk e bënë asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Bënë trysni që ne t’i sigurojmë ato. Kur i blemë 2 milionë doza, thanë këto janë ‘vitra’. Thanë janë vaksina me afat të skaduar. Nuk u hetuan për të bëmat e mosbëmat e tyre, trillimet”, thuhej në shkrimin përcjellës të videos, si përmbledhje e kritikave ndaj qeverisë.

 

Nga këto fjalë nënkuptohet – përveç që dozat e vaksinave nuk ishin dhuruar si ndihma, siç edhe ishte bërë – edhe që duhej të hetoheshin për “të bëmat e mosbëmat e tyre”.

Por, kjo video tashmë është fshirë nga faqja zyrtare e Vetëvendosjes, qendra Prishtinë. Nuk dihet nëse dikush do të hetojë këto pretendime nga ana e kësaj qendre.

Kjo video ishte publikuar vetëm pak kohë pas takimit në një mbrëmje që anëtarët e kësaj qendre – ku shihej edhe Arben Vitia – kishin pasur me kryeministrin Albin Kurti më 1 prill (ose vetëm një ditë më parë) në një lokal të Prishtinës ku pihej duhani brenda.

Kryetari i qendrës së Prishtinës është pikërisht Arben Vitia, i cili prej 14 nëntorit – kur kishte humbur garën për Prishtinën – e deri në fund të muajit të kaluar kishte mbetur krejtësisht i heshtur.

Marrë parasysh që tema që trajtohej nga videoja në fjalë kishte të bënte me shëndetësinë, dikaster që e njeh z. Vitia, mund të dyshohet se edhe ai ishte i përfshirë në përgatitjen e saj.

Vetëvendosje në Prishtinë tashmë ka mbetur në opozitë pasi gara për kryetar u fitua nga Përparim Rama dhe i cili bëri marrëveshje koalicioni me Partinë Demorkatike (PDK). /Nacionale