Komunat e Kosovës padisin MASHT-in dhe MSH-në, kërkojnë kthimin e rreth 35 milionë eurove

- in Lajme

26 Komuna të Kosovës kanë ngritur padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Ministrisë së Shëndetësisë për kthimin e mjeteve buxhetore, të cilat janë ndarë për zbatimin e Kontratave Kolektive në arsim dhe shëndetësi.

Bordi i Asosacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Komerciale të shqyrtoj lëndën e kontratave kolektive.

Sipas AKK-së, mjete buxhetore janë marrë padrejtësisht nga buxheti i komunave. Sipas tyre deri në gusht të vitit 2022 komunave iu janë marr mbi 35 milionë euro, ndërkaq marrja e mjeteve është duke vazhduar akoma.
MASHT-i dhe MSH-ja kishin lidhur në mënyrë të njëanshme Marrëveshje me Sindikatat respektive për zbatim të Kontratave Kolektive pa asnjë konsultim me Komunat e Kosovës.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës rithekson se nuk është kundër Kontratave Kolektive por është kundër zbatimit të tyre në formën e deritashme duke ua marrë mjetet financiare komunave kur palë nënshkruese janë Institucionet qendrore.

“Këto dy Kontrata janë nënshkruar pa asnjë konsultim paraprak me Komunat, pa vlerësim të ndikimit buxhetor, pa dakordim me Komunat dhe pa dijeninë e Komunave, derisa obligimet financiare të tyre kanë rënë tërësisht mbi Komunat dhe buxhetet e tyre.

Andaj me këtë rast Bordi i Asociacionit të Komunave kërkon nga Gjykata Komerciale që të shqyrtoj këto lëndë sa më shpejtë meqë dëmi në autoritetet lokale është i përditshëm dhe në dëm të investimeve të projekteve kapitale, e që vetëm këtë vit pritet të tejkalojnë shumë prej 30 milion euro”, thuhet në njoftimin e bordit të Asosacionit të Komunave të Kosovës./Demokracia