Ekipit të FSK-së në Turqi sonte do t’i shtohet një grup tjetër nga garda kombëtare

- in Lajme

Këtë të premte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë vizituar bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren. Në këtë takim është njoftuar se sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga garda kombëtare

“Aty u pritën nga Komandanti i Kontingjentit Turk, Kolonel Recai Yılmaz, Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës Turke në Prizren, Celal Doğan dhe zëvendësambasdorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın Çimenli dhe atasheu ushtarak i Turqisë në Kosovë, Kolonel Çağdaş Akif Kahraman”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kurti dhe Mehaj kanë shprehur përsëri ngushëllimet më të thella për viktimat e tërmetit shkatërrues të së hënës.

“Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësisë emergjente dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti. Ndërkaq, sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga garda kombëtare”, thuhet tutje në njoftim.

Mes tjerash në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se solidarizimit dhe mbështetjes institucionale i janë bashkëngjitur edhe qytetarët e vendit, të cilët në baza vullnetare dhe humanitare kanë filluar të dërgojnë ndihma për popullit turk.

“Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Kurti pa nga afër grumbullimin dhe paketimin e ndihmave të destinuara për zonat me më së shumti nevojë”.

/GazetaSinjali/