Dueli Krasniqi-Mohammedi, Komuna e Prishtinës njofton për mbylljen e dy rrugëve

- in Sport

Komuna e Prishtinës ka njoftuar për mbylljen e përkohshme të dy rrugëve në kryeqytet, për shkak të duelit në boks, që do të zhvillohet të shtunën mes Robin Krasniqit e Nadjib Mohammedi.

Bëhet fjalë për rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia”, të cilat do të mbyllen për 24 orë.

“Të dashur qytetarë, dueli i madh në mes të Robin Krasniqi dhe Nadjib Mohammedi do të zhvillohet nesër. Me këtë rast ju njoftojmë se rruga ‘Enver Zymberi’ dhe rruga ‘Rinia’ do të mbyllen përkohësisht për qarkullim, nga ora 07:00, ditën e shtunë deri në orën 07:00 ditën e diel”, thuhet në njoftimin për media.

Nga komuna kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për largimin e veturave nga parkingjet përreth stadiumit “Fadil Vokrri”, ku do të zhvillohet dueli.

Boksieri nga Kosova, Robin ‘Haxhi’ Krasniqi, para dy muajve ka njoftuar për meçin e tij ndaj Nadjib Mohammedi, të cilin e ka cilësuar si “dueli i shekullit”.

Boksieri me renome botërore ka bërë thirrje për blerjen e biletave pasi synon numër sa më të madh të mbështetësve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

/GazetaSinjali/