Cilat janë dy kërkesat urgjente të Policisë së Kosovës, Drejtori Samedin Mehmeti flet për Express

- in Uncategorized

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express ka folur rreth gjendjes në të cilën ndodhet ky institucion. Mehmeti u është përgjigjur pyetjeve për ikjen e policëve nga vendi, aksionet në veri, sigurimet shëndetësore për pjesëtarët e PK-së si dhe kërkesat e tyre për pagat.

Gazeta ka pyetur kreun e PK’së edhe rreth aplikimit për anëtarësim në  Policinë Ndërkombëtare (Interpol), ku Kosova nuk ka arritur të bëhet pjesë  për shkak të bllokadave nga vendet kundërshtare.

“Pas përgatitjeve të nevojshme mbi bazën e një vlerësimi konstruktiv mbi procesin e aplikimit nga të gjithë akterët relevantë institucionalë, koordinimit dhe konsultimeve të nevojshme do të merret edhe vendimi për aplikim” ka thënë ai.

Por cila është e vërteta rreth largimit të pjesëtareve të Policisë nga puna dhe ikja e tyre në vende tjera për jetë më të mirë.?

“Ndër vite ka pasur zyrtar të cilët në raste të caktuara, për shkaqe të natyrave të ndryshme të kenë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia duke respektuar edhe udhëzimet e parapara mbi dorëheqjen. Kjo natyrë e dorëheqjeve ka ndodhur edhe në të kaluarën, ne si menaxhment punojmë dhe angazhohemi në ç’do aspekt për krijimin e kushteve më të mira për punë e për një mirëqenie më të mirë për punonjësit tanë” ka thënë ai.

Për kushte më të mira pune për policët, ai përmend Ligjin për Pagat dhe kërkesat që i kanë bërë e të cilat shpreson se do të merren parasysh nga Qeveria, ndërsa një kërkesë tjetër urgjente  është edhe sigurimi shëndetësor që do të ishte motivim shtesë për policët e Kosovës.

Mehmeti në intervistën për Express ka folur edhe rreth rastit të policit që u vra (dyshime për vrasje aksidentale), gjatë një ndeje me kolegë dhe për atë se a është Policia e Kosovës e gatshme të ofrojë siguri për të akuzuarit në Hagë në rast se u vendoset masa e arrestit shtëpiak, dhe për ankesat rreth konkurseve për pranimin e policëve të rinj.

Gazeta Express: Po e nisim këtë intervistë me një ngjarje tragjike ndodhur para disa ditësh në Zllatar të Prishtinës. Aty u vra polici Lirim Haxholli, vrasja e të cilit është cilësuar aksidentale. A keni informacione se çfarë ndeje private ka qenë duke u zhvilluar aty dhe si ndodhi që të shkrepte arma. Po me familjen e viktimës keni biseduar pas tragjedisë?

Mehmeti: Më 18.02.2022, disa zyrtarë policorë, përderisa kanë qenë jashtë orarit zyrtarë të punës kanë realizuar një ndejë në Zllatar të Prishtinës. Siç e dini tashmë, ajo ndej është shndërruar në një rast tragjik, ku një zyrtarë policor fatkeqësisht ka humbur jetën. Nga të dhënat  dhe raportet zyrtare dyshohet se ka ndodhur një vrasje aksidentale. Bazuar në ligjet në fuqi kur dyshohet se një pjesëtar i PK-së dyshohet se është përfshirë apo ka kryer një ‘vepër penale’, rasti trajtohet nga IPK, prandaj edhe ky rast është duke u trajtuar nga inspektorati. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe sipas kompetencës rasti është proceduar tek autoritetet kompetente. Pas rastit tragjik qe ka ndodhur, se bashku me  menagjmentin e PK-se i kemi shprehur ngushëllime familjes për humbjen e birit të tyre por edhe humbjen e kolegut tonë.

Gazeta Express: Pas kësaj ngjarje a duhet të rishikohet mundësia që policëve të rinj të mos iu jepet arma menjëherë apo pas orarit të punës?

Mehmeti: Policia e Kosovës e ka të rregulluar me akte dhe procedura të brendshme, çështjen e organizimit, funksionimit, trajnimit dhe ricertifikimit të zyrtarëve policorë, ku përveç tjerash bëjnë pjesë edhe trajnimet e shkathtësive fizike dhe ato të përdorimit/gjuajtjes me armë. Në kuadër të Policisë kryhen edhe inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme ndaj zyrtarëve policorë, me të vetmin qëllim ngritjen e mëtejme të disiplinës, imazhit dhe integritetit policor. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga të gjithë punonjësit që të respektohen rregulloret e udhëzimet administrative duke u kushtuar vëmendje dhe përditësimit eventual të tyre, duke përfshirë edhe nevojën e këshillimit dhe organizimit të trajnimeve shtesë. Gjithashtu vëmendja dhe një ngritje e kontrollit dhe këshillimit do te aplikohet përmes mbikëqyrësve te drejtpërdrejtë te zyrtareve policor gjate kryerjes se detyrës zyrtare por edhe këshillime tjera për bartjen, ruajtjen dhe sigurimin e armës zyrtare e cila është pjese e pajisjeve policore për kryerjen e detyrave dhe autorizimeve policore.

Gazeta Express: Është raportuar shumë për versionin e draft Ligjit për Pagat, a janë të mjaftueshme pagat për policët apo duhet të ketë ngritje në paga, pasi është përmendur se shumë nga stafi i policisë e kanë lënë punën ndër vite për shkak se sektori privat iu ka ofruar më shumë?

Mehmeti: Meqë ende është ne fazën e draft ligjit për pagat dhe ende nuk kemi një version përfundimtar nuk mund ta komentojë si ligj, por ajo çka dua ta them është se çështja e  mirëqenies së pjesëtarëve të PK-së është mjaft me rëndësi, konkretisht në këtë periudhë të rritjes së kostos së jetesës. Ne si polici kemi dhënë rekomandimet tona për ligjin e pagave, për kriteret dhe benefitet që duhet ti gëzojnë punonjësit e PK-së dhe besojmë që rekomandimet tona të merren si të mirëqena dhe të përfshihen në ligj. Dihet se edhe motivi për punë i punonjësve rritet kur ka një shpërblim meritor për punën dhe shërbimin e ofruar. Pagat e zyrtarëve të Policisë së Kosovës janë të rregulluara dhe përcaktohen sipas gradës dhe pozitës, përfshirë edhe kriteret tjera shtesë siç janë niveli i rrezikshmërisë, ndërrimet e natës etj.  Policia e Kosovës, menaxhmenti i saj ç’do herë synon dhe angazhohet për ngritjen e mëtejme të mirëqenies së zyrtarëve policorë, duke adresuar këtë çështje tek kompetentët.

Gazeta Express: A keni informacione, siç kanë thënë nga Sindikata e Policisë që shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë në pritje për t’u larguar nga vendi, sa është numri i tyre ose a vërehet ikja e policëve jashtë vendit?

Mehmeti: Ndër vite ka pasur zyrtar të cilët në raste të caktuara, për shkaqe të natyrave të ndryshme të kenë dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia duke respektuar edhe udhëzimet e parapara mbi dorëheqjen. Kjo natyrë e dorëheqjeve ka ndodhur edhe në të kaluarën, ne si menaxhment punojmë dhe angazhohemi në ç’do aspekt për krijimin e kushteve më të mira për punë e për një mirëqenie më të mirë për punonjësit tanë.

Gazeta Express: Pjesëtarët e PK-së përballen me mungesë të sigurimit shëndetësor. A është i domosdoshëm sigurimi shëndetësor për Policinë e Kosovës?

Mehmeti: Çështja e sigurimit shëndetësor e jetësor ndër vite është kërkuar të rregullohet sepse dihet mirë se pothuajse jemi e vetmja polici që nuk posedojmë sigurim shëndetësor, andaj patjetër që vlerësoj se sigurimi shëndetësor për çdo të punësuar dhe jo vetëm, është i domosdoshëm e për më tepër i pjesëtarëve që kujdesen për sigurinë. Ne shpresojmë dhe njëherit kërkojmë që të realizohet kjo kërkesë e jona e kamotshme. Natyrisht se sigurimi shëndetësore do të ndikonte në një masë të madhe në motivimin e pjesëtarëve në punën e tyre për vet faktin se do të krijohej një siguri më e madhe e cila do të reflektonte edhe në shëndetin e tyre dhe parimisht inkurajimin për vet kujdesin më të madh ndaj vetes se tyre.

Gazeta Express: A keni ndonjë statistikë se sa kërkesa i ka bërë Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore në MSH (p.sh., vitin e kaluar ose në përgjithësi), për trajtim jashtë vendit të pjesëtarëve të PK-së dhe sa është shuma që PK ka mbuluar për shërim jashtë vendit?

Mehmeti: Bazuar ne Procedurat Standarde të Operimit (PSO-07DSHSH-01, paragrafi B), kërkesa për trajtim jashtë vendit realizohet në rastet kur punonjësi i PK-se ka pësuar lëndim/sëmundje në detyrë apo rast i veçantë shëndetësor, për të cilin trajtimi nuk është i mundshëm të realizohet në Kosovë. Ne këto raste Shërbimet Shëndetësore përpiqen ta sigurojnë këtë trajtim nëpërmes mekanizmave ekzistues në Kosovë, nëpërmes Vendimit të Komisionit mjekësor të QKUK-se , të përbëre nga tre Specialist mjekësor të kualifikuar, të cilët dëshmojnë se shërbimi nuk mund të kryhet në Kosovë  dhe se kjo gjendje kërkon trajtim mjekësor jashtë vendit, bazuar edhe me kritere të tjera Procedurale .

Bazuar në këtë procedurë (PSO) konkretisht paragrafin C, shpenzimet për trajtim jashtë vendit, pika 1, nëse kërkesa e punonjësit të PK-se aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria mbulon shpenzimet e trajtimit ( % të caktuar ), pjesa tjetër e mbetur financohet nga PK. Pika 2, nëse kërkesa e Punonjësit të PK-se nuk Aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, PK-ja mbulon shpenzimet e trajtimit mjekësor për trajtim jashtë vendit ( nëse lejon buxheti i PK-së ).

Gjatë vitit 2021, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore/DPP janë kryer kompensime materiale në vlerë prej 156,402.93 €, për gjithsejtë 11 pjesëtarë të PK-së, të cilët janë trajtuar jashtë vendit.

Për 3 Pjesëtarë të PK-së kompensimi për shpenzimet mjekësore të trajtimit jashtë vendit është realizuar një pjese nga Ministria e Shëndetësisë dhe pjesa e mbetur është kompensuar nga PK-ja . Për 8 Pjesëtarët tjerë janë kompensuar vetëm nga PK-ja.

Gazeta Express: Zakonisht jehonë më të madhe marrin aksionet në veri të vendit, sa janë të sigurt policët në përgjithësi në këto aksione dhe pse ndodh që shpesh të ketë rrjedhje të informacioneve që rezulton me mos arrestimin e personave që janë hetuar?

Mehmeti: Sipas procedurave të parapara para çdo realizimi të ndonjë operacioni policor, behën planifikimet dhe vlerësimet operacionale, përfshirë edhe vlerësimet e rrezikshmërisë, ku varësisht nga to edhe ndërmerren masat e nevojshme të sigurisë dhe atyre logjistike etj. Mund të themi se kohëve të fundit kanë qenë disa operacione në zonën që ju po e potenconi, ka pasur operacione shumë të suksesshme, të realizuara nga niveli qendror dhe ai rajonal, përfshirë edhe drejtori të caktuara si nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit më Narkotikë, pastaj operacione të vazhdueshme nga Policia Kufitare kundër kontrabandës etj. dhe pas çdo operacioni bëhen vlerësimet pas operacionale. Varësisht nga të gjeturat, analizat dhe sfidat që përballemi gjatë realizimit te operacioneve policore (e që nganjëherë janë edhe asistime agjencioneve tjera si  dogana, ATK etj )dhe lëshimet e mundshme që mund të ndodhin bëhen vlerësime  pas operacionale dhe varësisht prej konkludimeve  merren masa adekuate për përmirësimin dhe performancen policore për planifikimet dhe operacionet e ardhshme.

Gazeta Express: Si ka shkuar konkursi për pranimin e zyrtarëve policorë, sa persona kanë aplikuar dhe si shkoi procesi i testimit, kishte kuadro të përgatitura nga aq sa keni informacione?

Mehmeti: Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, është duke vazhduar procesi i mbajtës së  testit me shkrim për konkursin e hapur për zyrtarë policorë, ku Policia e Kosovës ka  pranuar 11841 aplikacione. Lidhur më përgatitjen e testit me shkrim policia ka bashkëpunuar me ekspert të jashtëm (profesorë të matematikës dhe gjuhës shqipe), me qëllim që testi të jetë i kualitetit të lartë dhe sipas praktikave më të mira, ndërsa pyetjet e njohurive të përgjithshme janë hartuar nga grupi punues brenda PK-së. Testimi me shkrim i cili për herë të parë po mbahet përmes platformës elektronike, i zhvilluar nga departamenti i burimeve njerzore dhe i mbështetur nga ekspert të brendshëm të TI, është transparent dhe po mbahet duke i respektuar masat e përcaktuara për testim si dhe për menaxhim të pandemisë. Është me rendësi të potencohet se lidhur me transparencën e mbajtjes së testit kanë qenë të ftuar shum organizata kredibile vendore dhe nderkombetare për të percjellur dhe parë mbarëvajtjen e procesit ku kemi marre shumë vlersime pozitive

Gazeta Express: Ka pasur ankesa nga kandidatët se pyetjet e testit nuk kanë qenë të formuluara mirë dhe kanë qenë shumë të vështira, çka nëse nuk arrihet të përmbushet numri i personave që do të pranohen në PK, a do të rihapet konkursi?

Mehmeti: Siç e potencuam edhe më parë lidhur më përgatitjen e testit me shkrim, policia ka bashkëpunuar me ekspert të jashtëm (profesorë të matematikës dhe gjuhës shqipe), me qëllim që testi të jetë i kualitetit të lartë dhe sipas praktikave më të mira, ndërsa pyetjet e njohurive të përgjithshme janë hartuar nga grupi punues brenda PK-së kanë qenë të përpiluara nga parimi që të jenë pyetje logjike. Testin e kanë kaluar një numër i mjaftueshëm i kandidateve i cili do të jetë i mjaftueshëm për hapat e mëtejme të procesit.

Gazeta Express: Në dhjetor të viti të kaluar keni zhvilluar vizitë zyrtare ne SHBA, atje keni zhvilluar takim edhe me kreun e Interpolit në SHBA Michael A. Hughes, a keni diskutuar me të për gjasat që Kosova të aplikojë sërish për anëtarësim ne Interpol dhe a pritet të bëhet ky aplikim brenda vitit 2022?

Mehmeti: Në vazhdën e realizimit të disa takimeve të niveleve të larta me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, kryesisht të sigurisë dhe drejtësisë, të realizuara në dhjetor të vitit të kaluar, njëri ndër to ka qenë edhe takimi, në të cilin jam pritur nga Drejtori i INTERPOL-it në SHBA, Michael A. Hughes. Ky takim ka qenë i një rëndësie të veçantë për mua si drejtues i Policisë së Kosovës, pasi kemi diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e ligjit, bashkëpunim ky  cili mirëpritet shumë nga të dy palët. Anëtarësimi i Policisë së Kosovës  në interpol është mjaft i rëndësishëm dhe i nevojshëm për neve por edhe për vet Interpolin, pasi Kosova nuk është vetëm vend konsumues i sigurisë por edhe prodhues i sigurisë së jashtme. Pas përgatitjeve të nevojshme mbi bazën e një vlerësimi konstruktiv mbi procesin e aplikimit nga të gjithë akterët relevant institucional, koordinimit dhe konsultimeve të nevojshme do të merret edhe vendimi për aplikim.

Gazeta Express: A ka kapacitete Policia e Kosovës për të garantuar në rast se për ndonjë nga të paraburgosurit në Hagë (ish-krerët e UÇK-së), vendoset në masën e arrestit shtëpiak?

Mehmeti: PK-ja ja kapacitete por duhet referuar pyetjen organeve kompetente.

Gazeta Express: Cila është mosha mesatare e zyrtarëve policorë në PK?

Mund të themi se edhe pse jemi ndër policitë më të reja për nga themelimi, për nga mosha kemi moshën mesatare të zyrtarëve policorë e cila është mbi 45 vjet . Duke e parë nevojën që të ulim  moshën mesatare ne edhe kemi hapur konkurse në vazhdimësi për të rekrutuar kandidate në moshë më të re si dhe të plotësojmë nevojën e strukturës organizative të PK-së.

Gazeta Express: Në fund a mund të na thoni dy-tri fjalë për pandeminë, sa ka qenë i vështirë të zbatohet plani për parandalimin e COVID-19 për shkak të numrit të madh të policëve që janë angazhuar në terren?

Mehmeti: Nga marsi i vitit 2020 kur janë paraqitur rastet e para me të infektuar më COVID19, policia ka hartuar dhe zbatuar një Urdhër Operativ me detyra e angazhime konkrete. Ky plan ka pësuar përditësime dhe është përshtatur vendimeve të institucioneve të vendit në luftën për parandalim të pandemisë. Nga gushti i 2020-tës, për policinë ka qenë një ndihmesë sepse ka filluar së zbatuari ligji adekuat i hartuar për këtë çështje. Në aspektin shëndetësor, logjistik dhe me personel ka pasur sfida të cilat i kemi arritur ti menaxhojmë dhe i kemi tejkaluar. Për një kohë është punuar edhe me orar të zgjatur 12 orësh, ka pasur shumë të infektuar, në vet izolim gjë që e ka shtuar dhe rritur sfidën e mbulimit të detyrave me personel policor, ku fatkeqësisht kemi pasur edhe zyrtar policorë që kanë humbur jetën nga pandemia por edhe të infektuar. /Gazeta Express/