Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nga Haga ka folur edhe për jetën që do ta bëjë pas lirimit.
Thaçi tha se nuk i mungon aktiviteti politik, teksa me sarkazëm tha se “ndoshta as unë politikës”, teksa paralajmëroi se nuk e paraqet garuesin e as rrezikun politik për askënd.
“Nuk më mungon aktiviteti politik, ndoshta as unë politikës. Megjithëse politika si zanat është shumë e mirë. Edhe pse sot paguaj çmim politik, mua më pëlqen dhe e dua”.
“U përkulem gjithmonë qytetarëve të Kosovës për besimin që më dhanë për mbi dy dekada. Nuk paraqes garuesin e as rrezikun politik për askënd. Por, shërbimi publik është jeta ime”, tha Thaçi në Rubikon.
Tutje, ai tha se rikthimi në familje për të është i pasfidueshëm, ndërsa për sa u përket gjërave të tjera, tregoi se do ta bëjë angazhimin që burgon nga pasioni i tij.
“Do bëj atë që më do zemra. Jeta politike nuk paraqet preokupim dhe nuk më mungon. Jam i tejpërmbushur; kam qenë lider studentor, luftëtar lirie, shef opozite për vite, disa herë kryeministër, zv.kryeministër, ministër i jashtëm dhe President. Detyrat para Atdheut nuk kryhen deri në frymën e fundit të jetës”, tha Thaçi.

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në intervistën e dhënë në Rubikon në Klan Kosova, nga Haga ka folur edhe për mikun e tij të madh, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Thaçi tha se Shqipëria sot është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore dhe sipas tij, Rama po e bën historinë evropiane të shqiptarëve.
“Shqipëria sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore. Edi Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim. Edi po e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi po e bën historinë evropiane të shqiptarëve”, u shpreh Thaçi në Rubikon.
Tutje, ai shprehu opinionin e tij edhe për Kosovën, duke thënë se duhet të ketë më shumë dashuri për shtetin dhe popullin, më shumë dialog, tolerancë, bashkëpunim e respekt për njëri-tjetrin.
“Dallimet politike do duhej t`i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme”, tha Thaçi./Demokracia