Gjyqtarët dhe Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, nuk po i rezistojnë politikës. Dhe kjo, tashmë është dëshmuar në disa raste, madje ku ishin të përfshirë edhe udhëheqësit e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Vend për shpërfaqjen e bindjeve politike për ata është bërë rrjeti social LinkedIn.
Stafi i Gjykatës Speciale nuk e ka përjetuar mirë sanksionimin e ish-kolegut të tyre, gjyqtarit Nicolas Guillou.
Para pak ditësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj gjyqtarit francez Nicolas Yann Guillou, i cili pati një rol kyç në procedurën paraprake të rastit të ish-presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale.
Ky veprim i administratës Trump nuk i ka pëlqyer aspak zëvendëskryeprokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse.
Ward Ferdinandusse është pasardhësi i Alex Whiting brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky i fundit i ishte bashkuar kryeprokurorit Jack Smith në ndjekjen penale të presidentit të tanishëm, Donald Trump.
Ward Ferdinandusse ka pëlqyer një reagim të Shefit të të Drejtave të Njeriut në kuadër të OKB-së, ku dënohet vendimi i administratës Trump për sanksionimin e gjyqtarit Guillou.
“Intensifikimi i pamëshirshëm i hakmarrjeve të SHBA-së kundër institucioneve ndërkombëtare dhe personelit të tyre duhet të ndalet. Sanksionimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në nivel kombëtar, rajonal ose ndërkombëtar, për përmbushjen e mandatit të tyre në përputhje me standardet e së drejtës ndërkombëtare, është një sulm ndaj sundimit të ligjit dhe gërryen drejtësinë”, thuhet ndër të tjera në reagimin të cilin e pëlqeu zëvendëskryeprokurori Ferdinandusse.


Ai nuk është ndalur me kaq.
Zëvendëskryeprokurori i Speciales është pajtuar edhe me komunikatën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), ku thuhet se sanksionet e Administratës Trump janë fyerje kundër Shteteve Palë të Gjykatës dhe rendit ndërkombëtar. /Demokracia.com/
