Djali i Veselit i reagon Kurtit: Qëndrim jo dinjitoz, na rëndon neve familjeve dhe s’të bën nder as ty

- in Lajme

Klestor Veseli, djali i ish kryeparlamentarit Kadri Veseli ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në një postim në rrjete sociale, Klestor Veseli ka thënë se deklaratat e Kurtit jo vetëm që ia rëndojnë gjendjen familjeve të krerëve të UÇK-së, por si të tilla janë edhe jo dinjitoze.

“Dëgjova me kujdes komentet e mbrëmshme nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, ku ai përmendi babanë tim, Kadri Veseli, në mënyrë shumë të pavend. Ky nuk është aspak një deklarim dinjitoz. Për familjen tonë dhe familjet e bashkëluftëtarëve të babait, që po ballafaqohemi me sfida jo të lehta tash e disa vite, deklaratat e tilla jo vetëm që na rëndojnë gjendjen neve, por nuk i bëjnë nder as vetë Kryeministrit në detyrë”, shkroi ai.

Ai tutje tha se qëndrimet e tilla të shprehura nga Kurti rrënojnë të gjitha urat e bashkimit, në një kohë kur i pari i qeverisë proklamon hapjen e urave fizike në Mitrovicë.

“Nga fushata dhe përpjekja për hapjen e urave fizike në Mitrovicë, Kryeministri në detyrë, me qëndrime të tilla e fushata politike, po i rrënon urat e bashkimit, mirëbesimit të ndërsjellë me partitë politike shqiptare, duke sjellë më shumë përçarje”, shtoi ai

“Liria e Kosovës është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të popullit të Kosovës kundër shtypjes. Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kurti duhet ta ketë të qartë se Memli Krasniqi është kryetar i saj dhe z. Kurti, e kushdo tjetër në skenën politike, nuk kanë pse t’i frikësohen debateve konstruktive politike”, shkroi në fund Veseli.

Mbrëmë në një debat televiziv, Albin Kurti tha se zyrtarët e PDK-së shkojnë për vizita në Hagë për të marrë instruksione politike nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Kjo deklaratë u vlerësua fort e dëmshme për dy krerët e UÇK-së në lidhje me procesin kundër tyre në Hagë duke pasur parasysh impaktin negativ që mund ta shkaktojë në rishikimin e radhës të paraburgimit./Demokracia