Çka ishte “Kosova e Re”? | Thaçi e Veseli: Lidhje strategjike me ShBA, pavarësi nga çmimet rajonale energjetike dhe siguri për investitorët e huaj

- in Lajme

Më 20 dhjetor të vitit 2017, Republika e Kosovës kishte hedhur një hap të gjigand në rrugën e saj të sigurimit të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës e përbërë nga partitë politike PDK, AAK dhe Nisma, kishte nënshkruar me kompaninë amerikane “Contour Global” marrëveshjen komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, shkruan Demokracia.com.

Termocentrali “Kosova e Re” parashikohej të vihej në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta kthente në pronësi këtë impiant pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto. Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” ishte llogaritur 40 vjet.

Kjo ngjarje nuk ishte e zakonshme, pasi që përmes këtij projekti, Kosova nuk do të siguronte vetëm furnizimin me energji elektrike, punësimin e 10 mijë personave dhe investimin e madh prej më shumë se 1 miliardë eurove, por do ta shndërronte shtetin e ri në fuqi rajonale energjetike dhe do të fuqizonte partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

PRESIDENTI THAÇI: MARRËVESHJA… VAZHDIMËSI E PARTNERITETIT STRATEGJIK ME SHBA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaronte në ditën e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, se ky ishte një moment historik.

Për më tepër, sipas Thaçit, marrëveshja e nënshkruar me kompaninë amerikane “Contour Global”, është vazhdimësi e partineritetit strategjik të Kosovës me SHBA-të.

“Marrëveshja përfundimisht e zgjidh një problem qenësor për Kosovën. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaronte presidenti Thaçi.

PRESIDENTI THAÇI: “KOSOVA E RE” GARANTON FURNIZIM DHE PAVARËSI NGA ÇMIMET RAJONALE TË ENERGJISË ELEKTRIKE

Përveç ndikimit politik dhe në fuqizim të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi, theksonte edhe ndikimin që do të kishte për Kosovën dhe qytetarët e saj ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.

“Qëndrueshmëri furnizuese” dhe “pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë”, ishin qëllimet tjera të mëdha të këtij projekti.

“Me te filluar operimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të ketë një jetëgjatësi prej 40 viteve. Ky planifikim afatgjatë do të mundësojë shoqërisë sonë të projektojë një të ardhme prosperuese për gjeneratat që vinë, dhe kjo periudhë jo vetëm që do të kontribuojë në qëndrueshmërinë furnizuese, por do të garantojë pavarësi nga çmimet rajonale të energjisë, ku Kosova nuk do të varet në të ardhmen”, deklaronte presidenti Thaçi.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: KY INVESTIM ËSHTË MESAZH PËR INVESTITORËT SE MUND TË INVESTOJNË NË KOSOVË

Në fjalën e tij, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, kishte deklaruar se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ky është një dimension i ri i pavarësimit ekonomik të vendit tonë dhe do të krijonte siguri për investitorët e huaj.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ky është një dimension i ri i pavarësimit tonë edhe ekonomik. Është një sinjal i veçantë për investitorët se Kosova është një ambient për të investuar në Kosovë. Në të njëjtën kohë, prodhimi i energjisë elektrike krijon edhe një siguri tek investitorët se mund të investojnë në Kosovë”, deklaronte Veseli.

Kryeminsitri Haradinaj në fjalën e tij ishte mjaft i shkurtër, duke thënë se mbështeste të gjitha ato që deklaruan presidenti dhe kryeparlamentari, derisa bënte thirrje për fillimin e ceremonisë së nënshkrimit të kontratës me kompaninë amerikane.

SHBA: NJË DITË E MIRË PËR SIGURINË ENERGJETIKE TË KOSOVËS

Në ceremoninë e nënshkrimit nuk munguan as përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori Greg Delawie e kishte parë nënshkrimin e kontratës si “një ditë e mirë për sigurinë energjetike të Kosovës”.

“‘Kosova e Re’ do të ndërtohet në bazë të standardeve më të larta evropiane për mjedisin, do të prodhojë shumë më pak ndotje sesa termocentralet aktuale të Kosovës. Ky projekt gjithashtu është investimi më i madh i huaji në historinë e Kosovës. Kjo arritje është indikacion i qartë për mua se Kosova është gati për më shumë investime private nga e gjithë bota”, tha Delaëie.

2020 – SI DËSHTOI NDËRTIMI I TERMONCENTRALIT “KOSOVA E RE” PËR SHKAK TË KRYEMINISTRIT KURTI

Nga pozita e opozitarit dhe nga pozita e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për vite të tëra ka kundërshtuar fuqishëm një nga projektet më serioze që do ta shndërronte Kosovën në fuqinë rajonale energjetike.

Askush më shumë se Kurti dhe askush si ai, nuk ka kundërshtuar projketin për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” që do të siguronte një pavarësi të madhe energjetike të Kosovës dhe mbështetje në fuqinë vetanake.

“Kosova e Re” do ta shndërronte Kosovën në fuqi rajonale energjetike, e aftë që të përmbushte nevojat e veta, por edhe të furnizonte të tjerët, do ta ndryshonte edhe pozicionin e saj politik në Ballkanin Perëndimor.

Por, vetëm pak kohë pasi Kurti dhe Vetëvendosje fituan zgjedhjet paralamentare të 14 shkurtit, kompania amerikane “Contour Global” kishte bërë të ditur se tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Pikërisht historia e Kurtit dhe veprimtaria e tij e orientuar kundër ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” nga kompania amerikane, kishin qenë arsyet kryesore të vendimit të kësaj kompanie për t’u tërhequr nga projekti. / Demokracia.com /